HISTORIA E MATIT
Krahina e Matit është e njohur, si një krahinë me vlera historike, arkeologjike, etno –kulturore. Mati ka dhënë dëshmi të rëndësishme mbi zhvillimin e kulturës prehistorike, ilire dhe arbërore. Gërmimet arkeologjike të bëra në krahinën e Matit, në shpellat e Blazit, Nezirit dhe Këputës në zonën Laç- Bruçit, kanë dëshmuar se këto shpella kanë vlera unikale si vendbanime prehistorike. Shpella e Blazit ka dhënë dëshmi mbi një kulturë që nis në paleolitin e sipërm (18.000.p.e.s) dhe ruan vijimësinë në epoka të tjera të neolitit dhe epokës bakrit. Po kështu kultura ilire është një tjetër aspekt i rëndësishëm për historinë e Matit. Inventari i pasur i objekteve të pëfituar nga gërmimet arkeologjike të bëra në 53 varreza tumulare të Matit, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të, dëshmon për zhvillimin e një kulture me tipare të veçanta e cilësuar si “kultura ilire e Matit”.
Në Mat kanë ekzistuar kala e qyteza të hershme ilire e mesjetare që kanë shërbyer si një kordon mbrojtës për të gjithë hapësirën gjeografike të Matit, kalaja ilire e Xibrit (shek.IV-II es), kalaja ilire e Shkopetit (shek.V-II p.e.s.), kalaja ilire Stelushi (shek III- VI e.s), qyteza ilire e Komsisë, qyteza mesjetare e Varoshit që shquhet si një fortesë e rëndësishme familjes së Kastriotëve dhe Skënderbeut (shekulli XV e.s.), kalaja mesjetare e Petralbës, qyteza mesjetare e Bruçit, Gjoçajve etj.
Kultura e hershme mesjetare (arbërore) në Mat konstatohet në disa vendbanime e kala (Stelush, Petralbë, fshatrat Dërjan, Dukagjin, Klos, Urxall, Arba (Msuç) Rremull dhe Gjoçaj). Në krahinën e Matit kanë ekzistuar një numër i konsiderueshëm objektesh kishtare me rëndësi për kohën, si kisha e Shën Mërisë apo Dioqeza e Lisit, Kisha e Shën Trinisë -Daznjan-Macukull, ku në vitin 1462 kryepeshkopi i Durrësit Pal Ëngjëlli la të shkruar Formulën e Pagëzimit në shqip, dokumenti i parë i gjuhës shqipe. Kisha e Shën Llezdrit (Lekës)- Dukagjin ku u mbajt Kuvendi Mbarëkombëtar i Dukagjinit (Dhjetor 101-Shkurt1601), e të tjera objekte të rëndësishme fetare të cilat kanë patur rol dominues në jetën politike ekonomike të Matit.
Referuar historisë sonë kombëtare, Mati si një krahinë në zemër të Shqipërisë, ka nxjerrë nga djepi i saj figura të shquara të historisë e kulturës sonë kombëtare, duke filluar me heroin tonë kombëtarë, Gjergj Kastriotin Skëndërbe, figura të urtësisë, mendësisë e trimërisë si Kont Urani, Kokë Malçi, Pjetër Përlati. Figura e personalitete si Pjetër Budi, shkrimtari e themeluesi i letërsisë e prozës shqipe, patriotë, arsimdashës, aktivistë e kontribues kryesorë të Rilindjes sonë Kombëtare, si Dervish Hima, Ibrahim Temo, Rexhep Pashë Mat, Riza Bej Zogolli, Ibrahim Dalliu, Jakup Metra, Ahmet Xhetani, etj.
Po kështu Mati është vendlindja e mbretit ”Zogu I” (fshati Burgajet). “Matjanët janë njohur për trimërinë, guximin dhe besnikërinë e tyre” shkruante Sami Frashëri. Në të vërtetë burimet historike dëshmojnë rëndësinë dhe pjesmarrjen e matjanëve në ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare, beteja e luftra të cilat janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen në memorien tonë kombëtare e lokale.
Trashëgimia kulturore shpirtërore ka ruajtur në një farë mënyre natyrën autoktone por edhe pushtimet e veçanërisht islamizimi i popullsisë në Mat, ka lënë gjurmë në doke e zakone si dhe besime e bestytni, në disa kulte familjare, në ritet e martesave, kumbarisë, ritit të rrethprerjes, lindjeve, ndarjeve nga jeta. Mati jeton në harmoni fetare midis tre besimeve fetare: të krishterë, musliman dhe bektashinj. Gjurmët kulturore të këtyre besimeve janë pasqyruar në ndërtesat e kultit si edhe në objektet e ndryshme fetare të cilat vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm për besimtarët dhe shërbesat e tyre fetare.
Sa i përket gjuhës, zona e Matit ka ruajtur tiparet autoktone të shqipes së hershme. Ajo ngjason edhe me zonat fqinje të Lurës, Selitës dhe Mirditës, të cilat së bashku formojnë grupin qendror të dialektit gegë. Dëshmi e rëndësishme e dialektit matjan është “formula e pagëzimit” që kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli la të shkruar në sinodin kishtar të mbajtur në kishën e Shën Trinisë-Daznjan-Macukull, në vitin 1462: “V’NTE PAGHEZONIT PREMENIT ATIT ET BIRIT ET SPERTIT SENIT” dhe shqipërimi i kësaj formule “UN TË PAGËZONJ PËR EMËNIT ATIT E T’BIRIT E T’SHPERTIT SHENJT” , e cila përkon me dialektin matjan që gjen përdorim edhe në ditët e sotme. Ky dokument i rëndësishëm përbën edhe dëshminë e vetme dhe më të hershme të shkrimit të gjuhës shqipes.
O I ZOTI I SHTËPISË! HAJDE, BUJRUM BRENDA!” është shprehja e mikpritjes matjane. Ajo është një virtyt i rëndësishëm i popullit matjan i trashëguar ndër shekuj, ka qenë dhe mbetet një traditë e bukur që lidhej edhe me faktin se miku kishte rëndësi të veçantë për të zotin e shtëpisë dhe familjen e tij. Ndaj në kullat matjane i dedikohej edhe një ambjent pritës mikut të shtëpisë si “ oda ose dhoma e miqve”, në katin më të sipërm të kullës apo banesës matjane. Mikpritja si një traditë e bukur matjane përbën aspekt të rëndësishëm për sipërmarrës turistikë apo komuniteti vendas që e ka shfrytëzuar këtë traditë në funksion të turizmit të zonës.
VESHJA POPULLORE
Larmishmëria e veshjeve popullore, sidomos e gruas matjane, gjendet në 6 njësi etnografike: Guri i Bardhë, Prelli, Lisi, Gurra, Bazi e Komsia, të cilat janë mjaft atraktive për turistët vendas dhe të huaj. Këto kostume tradicionale janë përcjellë ndër vite të qëndisura e të stolisura mjaft bukur me fije prej ari e argjendi dhe përbëjnë një veçanti në etnografinë tonë shqiptare. Ndërsa veshja tradicionale për burra është e unifikuar gati e njëjtë në të gjithë trevën e Matit, si ajo e tipit të veshjes me gunë apo dallamë si një ndër veshjet më të vjetra me prejardhje ilire.
ZEJE DHE PUNIME ARTIZANALE
Matjanët kanë ushtruar dhe trashëguar ndër breza zeje të ndryshme. Ndër zejet më të hershme që ka ushtruar popullsia dhe mjeshtrit matjanë përmendim:
Tradita e guzhinës matjane si një zonë me bimësi ( në këtë zonë rritet arra, gështenja, molla, hurma, kumbulla, fiku, manat, lajthia, qershia, dredhëza, gorrica, muçmolla, etj.) dhe blektori tw zhvilluar (prodhohet djathë (lope, deleje, dhie); qumshët; kos; gjizë; dhallë; gjalpë ka si gatim tradicional mishin e pjekur në disa variante: në saç, në hell, në prush, etj. Ne gatimin tradicional perveç mishit te viçit dhe të imtave si delja dhe dhia përdoret edhe mishi i pulës. Mishrat shoqërohen me qull ose me asortimente brumi si: makarona, oriz, jufka, përshesh të gatur me miell misri dhe gruri. Disa nga gatimet tradicionale jane paça, mishi më lëng, çorba etj.
Të gjitha perimet e zonës që rriten në treven e Matit, përdoren për gatime sallatërash dhe gjellë të lehta
vere. Edhe ëmbëlsirat në trevën e Matit kanë origjinë të hershme, sidomos ato që gatuhen në raste gëzimi dhe hidhërimi si: peta me sheqer, hasude, bakllava, shëndetlie, revani etj.. Në të gjithë zonën kultivohet bima e rrushit (rrush shesh i zi rrush Ceruje; rrush Parmaku; rrush vajguri). Nxjerrja e rakisë dhe e verës është një traditë e vjetër e kësaj zone. Të gjitha ushqimet tradicionale shoqërohen me pije tradicionale si rakia dhe vera.
Disa nga gatimet tradicionale të zonës janë:
Gatime të tjera tradicionale të zonës së Matit
Bukë në çerep
Byrek me fasule
Petë misri me hithra
Byrek me djathe, qumësht dhe vezë
Tavë dheu
Tavë kosi
Tavë mishi me qumësht
Patate të pjekura në prush
Petulla macukulli
Dollma (me lakra dhe me gjethe rrushi)
Fasule me gjalpë
Mish në hell
Petë me presh
Lakror
Çorbë
Byrek me kungull
Byrek me patate
Bishtaja
Trahana
Tavë pule me gjizë dhe hudhra të njoma
Pulë me gështenja dhe arra
Paçe koke
Kukurec
Sultjash
Bukë misri me shëllirë djathi
Mish në zgarë
Pulë me pilaf
Tavë mishi në furrë
Kungull i pjekur/zier (shoqërohet me sheqer)
Tavë me patate